Vëllezërit Marquez zbulojnë Hondan e re dhe objektivat…

Sport

Honda zyrtare zgjodhi Xhakartën për të zbuluar motorrin e ri, që do të përballojë sezonin e Moto GP duke filluar nga 8 marsi në Katar. Veçantia e këtij viti është se në timonët e dy motorrëve do të jenë vëllezërit Marquez: Marc, kampion bote në Moto Gp dhe Alex, kampion i Moto2.
Nuk ndryshojnë ambicjet për Marc Marquez. “Mezi pres të nis testet. Ndihem shumë i motivuar për të luftuar sërish për të fituar titullin e kampionit. E di që 2020 do të jetë një sezon i ndërlikuar, pasi rivalët tanë duan të na mundin. Por edhe neve jemi duke punuar shumë me skuadrën për të fituar përsëri Botërorin. Ky është objektivi, duke synuar të bëjmë edhe më mirë sesa vitin e kaluar. Do të provojmë të rrisim nivelin”, ka deklaruar kampioni botës në fuqi, i cili ka konsideruar edhe special faktin që do të ketë të vëllain në skuadër. Megjithëse pranoi se kur të vijë ditë e garës, edhe Aleks do të jetë një rival si të tjerët.
Nga ana tjetër vëllai më i vogël është shprehur “vërtet entuziast” për mundësinë që i është dhënë. Kalimi nga Moto 2 tek Honda është një kënaqësi e madhe për mua. Premtoj se do të bëj më të mirën. Objektivi im për 2020-n është që të jem sa më kompetitiv mbi një motorr të Moto GP. Pse jo në mënyrë që më pas të bëhem edhe piloti i ri më i mirë i vitit”, tha spanjolli 23-vjecar.
Marc e Álex janë tashmë dy pilotë të fortë, dy kampionë të botës, që me kurajë dhe optimizëm janë “fytyrat” e një sezoni të rëndësishëm për të ardhmen e Hondas në MOTO GP.