Paul Pogba vazhdon ende të ketë si synim largimin nga Manchester Juntaited, për të kaluar te Reali i Madridit. Këtë të paktën pretendon vëllai i tij, Mathias, sipas të cilit mesfushori francez mund ta sigurojë transferimin, përpara se të mbyllet merkato për klubet spanjolle në fillimin e muajit shtator. Madje, gjithmonë sipas të vëllait, pikërisht Paul do të ishte përforcimi i duhur për skuadrën e Real Madridit.
Konkretisht, Mathias Pogba ishte i ftuar në programin e televizionit spanjoll “El Chiringuito TV” ku foli në lidhje me mesfushorin e Manchester United, si përforcim të ri të “Los Blancos”. “Pauli dëshiron të lëvizë dhe po pret… Te skuadra që është tani, ai nuk mund të bëjë gjithçka. Nuk është e pamundur që Florentino Perez ta transferojë atë. Gjithçka është e mundshme deri më 2 shtator. Cili futbollist i mungon skuadrës së Zidane? Sigurisht, vëllai im. Mendoj se Real Madrid ka nevojë për një mesfushor tjetër. Nëse Zidane nuk i ka gjërat që do, atëherë do të jetë e vështirë për të. Atij i mungon vëllai im”, ngulmoi Mathias.
Megjithatë, sipas tij, Paul nuk do të bëjë si Neymar dhe të kërkojë një ndarje traumatike me Junaited. Përkundrazi, ai e ka konsideruar të vëllanë një profesionist, që do të japë maksimumin edhe nëse si përfundim do të duhet të qendrojë aty ku është. Sidoqoftë, Matias ka pranuar se ëndrra e Paul është pikërisht të fitojë Champions League-n. Vetë 26-vjeçari Pogba i kishte nisur spekulimet për të ardhmen e tij në qershor, kur kishte thënë se ky mund të jetë momenti i duhur për ta provuar ndonjë sfidë të re, pas tri vjetëve me “Djajtë e kuq”. Mirëpo ai e nisi sezonin e ri në Premier Ligë duke qenë sërish pjesë e skuadrës nga Old Trafford.