Veç Hazard, Real Madrid shkon edhe pa Rodrygo drejt ‘El Classico’-s

Sport

Real Madrid është tronditur me lajmin e dëmtimit të rëndë të një prej yjeve kryesorë të skuadrës Eden Hazard, i cili ‘braktis’ në këtë mënyrë ekipin përpara ndeshjes ndoshta më të rëndësishme të sezonit në ‘La Liga’. Mungesa e belgut ndaj Barcelonës në ‘El Classico’ shihet si një goditje e rëndë për madrilenët, ndonëse trajneri Zidane është përpjekur të ruajë qetësinë në radhët e tifozëve të ‘los blancos’, duke thënë se ka në dispozicion shumë alternativa të nivelit të lartë. Por Rodrygo duket se nuk do të jetë një prej tyre. Braziliani u angazhua gjatë fundjavës me skuadrën e Real Madrid Castilla, ku ia doli të gjente edhe rrugën e rrjetës. Mirëpo menjëherë pas golit, mes tensionit me portierin e skuadrës së San Sebastian, Rodrygo ka festuar në mënyrë të pahijshme dhe e gjitha ka ndodhur përpara syve të gjyqtarit kryesor të takimit.
Ky i fundit e ndëshkoi Rodrygon me kartonin e dytë të verdhë, duke e nxjerrë jashtë fushe me të kuq. Talenti brazilian është kritikuar nga shumë media për sjelljen e tij dhe shumë raportojnë se ka patur një diskutim të 19-vjeçarit edhe me lojtarë apo drejtues të skuadrës së parë të Real Madrid, për të mos lejuar përsëritjen e situatave të tilla. Ndërsa vetë Zidane e kishte vënë në dijeni lojtarin se ishte në planet e tij për sfidën e rëndësishme me Barcelonën në ‘La Liga’, por kjo nuk ka mjaftuar që Rodrygo të tregohej i kujdesshëm në fushën e blertë, duke rënë pre e provokimeve të kundërshtarit. Gjatë këtij sezoni, braziliani numëron 21 ndeshje me fanellën e Real Madrid në të gjitha kompeticionet, ku ka arritur të realizojë 9 gola e të shërbejë 2 asiste.