Vazhdojnë zyrtarizimet e lojtarëve të mëdhenj të futbollit në Arabinë Saudite

Sport

Vazhdojnë zyrtarizimet e lojtarëve të mëdhenj të futbollit në Arabinë Saudite. Pas Karim Benzema, dhe N’Golo Kante, dy të radhës që kanë kompletuar transferimin në Lindjen e Mesme janë Kalidou Koulibaly dhe Ruben Neves.

Të dy së bashku, si senegalezi, ashtu edhe portugezi janë bërë pjesë e skuadrës së Al Hilal. Koulibaly, ndonëse një sezon më parë u bë pjesë e Chelsea për rreth 40 mln euro, duhet thënë se aventura në “Stamford Bridge” nuk shkoi aspak sikurse pritej. Sikur të mos mjaftonte kjo, 32 vjeçari u detyrua që nëpërmjet ekranit, të shihte ish-skuadrën e tij, Napolin, të fitonte titullin kampion.

Mirëpo klubet arabe nuk e kanë mbyllur me kaq. Dy lojtarë të tjërë të Chelsea po përgatisin valixhet për të shkuar drejt Lindjes. Fjala është për Hakim Ziyech dhe Edouard Mendy. Si anësori i sulmit, ashtu edhe portieri, nuk preferohen shumë nga trajneri i Bluve, Mauricio Pochettino, e për këtë arsye ata e kanë parë të udhës t’i thonë “po” ligës saudite, me transferimin që do të kompletohet shumë shpejt. Më konkretisht tek Al Nassr dhe Al Ahli.

Sa i përket klubit të Al Ahlit, 3 herë kampionët e Arabisë Saudite, do të tentojnë një tjetër transferim nga Europa, por këtë herë me parametra zero. Bëhet fjalë për Roberto Firminon e Liverpool që i përfundoi kontrata këtë verë.