Vazhdojnë polemikat te Argjentina, vëllai i Dybalas akuzon rëndë federatën

Sport

paulo
Polemika tek Argjentina kanë qenë gjithmonë prezente, ku në jo pak raste trajnerë apo drejtues të federatës janë akuzuar se përzgjedhin lojtarët në bazë të çështjeve personale. Paulo Dybala ka qenë një ndër ata që pavarësisht se ka shkëlqyer me Juventus, nuk ka gjetur minuta me kombëtaren e vendit të tij. Edhe me trajnerin e përkohshëm Scaloni, gjërat duken njësoj. Ky i fundit e aktivizoi Dybala në pjesën e dytë të miqësore ndaj Kolumbisë të përfunduar 0-0, duke i dhënë atij rreth 35 minuta në fushë. Vetë Scaloni mohoi të kishte ndonjë problem me sulmuesin e Juventusit: “Me të vërtetë mendoni se kam një problem me Dybala? Paulo është një fenomen, ai është një lojtar i shkëlqyer futbolli. Ne duhet të shikojmë përpara, jo prapa”.

default
Por këto fjalë nuk e kanë ndalur vëllain e lojtarit të Juventusit, Gustavo, që ka sulmuar ashpër federatën dhe trajnerin e kombëtares argjentinase. Pak orë përpara fillimit të sfidës me Kolumbinë, Gustavo shkruante se: “Nëse ata nuk mund të fitojnë para nga ju, atëherë nuk keni për të luajtur!!!!”. Megjithatë vetë Dybala ka shmangur këtë temë duke thënë se duhet të përqëndrohet vetëm në fushën e lojës: “Unë duhet të kthehem në klub dhe të jem gati për ndeshjen e ardhshme. Të mërkurën do të kemi edhe Ligën e Kampionëve kundër Valencias, ndaj duhet të jemi gati”.