Varane rindez spekulimet, thotë se kërkon të luajë me Mbappe

Sport

Rikthimi i Zinedine Zidane u pa si diçka pozitive për Raphael Varane, i cili është në kërkim të formës së tij më të mirë. Francezi ka vuajtur disi në fillimin e këtij sezoni, si e gjithë skuadra madrilene, por gjithësesi Varane mbetet një nga elementet më të rëndësishëm për ‘los blancos’. Nga grumbullimi me kombëtaren franceze, Varane u shpreh se pavarësisht kritikave që ka marrë Reali, ‘los blancos’ e dinë se mund të bëjnë më mirë dhe fakti që janë në krye të ‘La Liga’-s nënkupton jo pak. Ai foli edhe për shokun e tij të skuadrës në kombëtaren franceze, Kylian Mbappe, për të cilin Varane flet pa rezerva.

“Mbappe është një lojtar i shkëlqyer. Gjithmonë do të kem dëshirë të luaj në një skuadër me të. Nëse një ditë do të më pyesë për Realin, do t’i them vetëm gjëra të mira. Të luaja bashkë me të tek madrilenët do të ishte vërtet diçka e bukur.”

Këto deklarata të Varane duket se kanë rindezur edhe njëherë spekulimet rreth një transferimi të mundshëm të Kylian Mbappe tek Real Madrid. Një lëvizje e tillë u përfol se mund të ndodhte edhe gjatë verës që lamë pas, por PSG për momentin nuk ka lejuar që diçka e tillë të ndodhë. Në Francë, mediat raportojnë se drejtuesit e skuadrës pariziene nuk do e lejojnë kampionin e botës të largohet pa arkëtuar të paktën 280 milionë euro, çfarë do të ishte një shifër rekord sa i përket transferimeve. Lojtarë si Varane mund të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë çështje, pasi mbrojtësi i Realit duket se po kërkon të bindë Mbappe të transferohet në kryeqytetin spanjoll.