Pas eksperimentimit me sukses në disa kampionateve evropiane si dhe në Botërorin e fundit, duket se UEFA është duke iu dorëzuar presionit, gjithmonë e më në rritje, për të aplikuar sistemin e video-arbitrimit, ose që njihet ndryshe si VAR. Organizmi më i lartë i futbollit evropian është i prirur që ta ingranojë këtë sistem edhe në Champions League. Megjithatë, vetëm duke nisur prej fazës çerekfinale. Sipas asaj që ka zbuluar gazeta britanike “Times”, krerët e UEFA-s do të diskutojnë mbi përdorimin e këtij sistemi, në mbledhjen që do të zhvillohet javën e ardhshme në Montecarlo përpara shortit të grupeve të Champions League. Megjithëse vendimi përfundimtar do të merret në fund të muajit shtator nga Komiteti Ekzekutiv. “Times” mundi të zbulojë projektin e UEFA-s, që deri më tani kishte hasur në kundërshti, përderisa jo në të gjitha stadiumet ku luhen ndeshjet e Champions League ekziston mundësia dhe infrastruktura për të futur në funksionim sistemin VAR. Për këtë arsye mendohet që kjo ndihmë për gjyqtarët të hyjë në funksion duke nisur nga fazat me eleminim direkt.
Mbi sistemin VAR ka folur sëfundi edhe trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde. Në pritje që të aplikohet në Champions, Video Asistent Refree ka nisur të jetë i pranishëm nga ky sezon edhe në La Liga. “VAR-i dhe teknologjia duhet të përdoren për të na ndihmuar, në veçanti për drejtësi në zonën e penalltisë. Por, ne ende nuk e dimë çfarë efekte anësore mund të ketë”, ka thënë Valverde, i cili është shprehur se nuk dëshiron që VAR t’i pengojë rrjedhën e ndeshjes. “Gjëja e mrekullueshme për futbollin është se është sport shumë i shpejtë, kështu që ka pak ndërhyrje. Gjyqtarëve iu nevojitet ndihmë, por kjo ndihmë nuk duhet ta cenojë shpejtësinë e ndeshjes. Prandaj nuk e di se çfarë është më e rëndësishme. Jam ende duke pritur ta shohë se çfarë është duke ndodhur”, ka qenë mendimi i Valverdes.