Van Gaal kritikon ashpër Guardiolan, thotë se nuk mund ta fitojë ‘Champions’-in

Sport

Louis van Gaal ka kohë që është tërhequr nga bota e futbollit, ku njihet si një nga trajnerët më të suksesshëm dhe figurat më kontraverse të këtij sporti. Mirëpo duket se holandezi vijon të bëjë mjaft mirë kritikun dhe përsëri nën shënjestrën e tij ka qenë Pep Guardiola. Ish-trajneri u shpreh se Guardiola ka arritur diçka fantastike me Manchester City-n, duke fituar dy tituj radhazi në ‘Premier League’, por sipas tij, suksesi i katalanasit duhet të vlerësohet në ‘Champions League’. Van Gaal thotë se ‘Champions’-i mbetet kompeticioni më i rëndësishëm dhe me nivelin më të lartë në rang klubesh, prandaj Guardiola duhet të triumfojë pikërisht aty për të provuar se është më i miri i kësaj dekade.

Van Gaal i referohet dështimeve të Guardiolas me Bayern Munich dhe Manchester City, me të cilat e ka patur të vështirë të përsërisë suksesin që kishte tek Barcelona. Ish-trajneri holandez shton madje se Guaridola do ta ketë shumë të vështirë të triumfojë në ‘Champions League’ edhe në të ardhmen dhe për këtë ai bën fajtor ekstremizmin e stilit të lojës së katalanasit. Sipas van Gaal, ai stil loje nuk mund të rezultoi efektiv përballë çdo skuadre, që vjen nga një kampionat shumë i ndryshëm me atë anglez apo spanjoll. Në fund, van Gaal e mbylli edhe me disa kritika për trajnerin e Ajaksit, Erik Ten Hag. 67-vjeçari e vlerësoi maksimalisht punën që ka bërë trajneri aktual i kampionëve të Holandës, por eleminimi në gjysmëfinalet e ‘Champions League’ nga Tottenham, sipas van Gaal ka ardhur vetëm prej zgjedhjeve të gabuara të trajnerit Ten Hag.