Humbja 5-2 në shtëpi ndaj Real Madrid në raundin e 1/8-tave në Champions Leayie, ka demoralizuar kampin e Liverpool. Mbrojtësi Virgil Van Dijk e konsideron të mbyllur aventurën e Liverpool këtë sezon në Champions. Hollandezi është shprehur se kualifikimi duket shumë larg dhe ndeshja e kthimit në Madrid është një mission gati-gati i pamundur për 6 herë kampionët e Europës.
“Në Madrid do shkojmë për të luajtur një ndeshje shumë të vështirë. Deri atëherë duhen edhe 3 javë dhe kur të vijë momenti do përqendrohemi në maksimum, e do përpiqemi të japim më të mirën nga vetja jonë. Sigurisht që ndihemi të zhgënjyer që humbëm, por ajo që dhemb më shumë, është mënyra sesi u mposhtëm. Si pasojë e asaj që ndodhi në shtëpi, mundësitë tona në Madrid për t’u kualifkuar më tej, janë shumë të pakta”, ka thënë shtatlarti i prapavijës, i cili në këtë mënyrë ka “vajtuar” humbjen e rëndë dhe historike të pësuar në “Anfield”.
Liverpool nuk kishte pësuar asnjëherë 5 gola në një ndeshje të Champions League në shtëpi. Sfida e kthimit mes Los Blancos dhe The Reds do luhet në datën 15 Mars në “Santiago Bernabeu”.
Më tej, Liverpooli ka një mission të vështirë edhe në kampionat dhe deri në fund të sezonit, skuadrën e Jurgen Klopp e pret një punë shumë e madhe për t’u kualifikuar në fazën e grupeve të Champions League. Për momentin, të kuqtë ndodhen në vendin e 8 në kuotën e 35 pikëve, 7 pikë larg vendit të 4. Megjithatë, nënkampionët e Europës kanë luajtur dy ndeshje më pak sesa kundërshtarët, kështu që kanë mundësi ta shkurtojnë më tepër diferencën e pikëve.