Van Dijk paralajmëron Maguire pas transferimit tek Manchester United

Sport

Harry Maguire u bë lojtari më i ri i Manchester United, pasi ‘djajtë e kuq’ shpenzuan plot 87 milionë euro për të marrë shërbimet e tij nga Leicester. Në këtë mënyrë, 26-vjeçari u bë mbrojtësi më i shtrenjtë në histori, duke parakaluar transferimin e Virgil Van Dijk nga Southampton tek Liverpool për 84.5 milionë euro. Pikërisht Van Dijk ka qenë ndër të parët që i ka uruar Maguire suksese në skuadrën e re, por holandezi e ka paralajmëruar 26-vjeçarin edhe për atë që do ta presë në muajt në vazhdim. Van Dijk thotë se tashmë presioni do të jetë i gjithi mbi Maguire dhe fakti që është mbrojtësi më i shtrenjtë, do të bëjë që të ketë shumë pritshmëri ndaj tij. Mbrojtësi i Liverpoolit thotë se këtë e përjetoi edhe vetë pas transferimit tek ‘the reds’, por ia doli të kalonte pengesat që kishte përpara. Ai shpreson që edhe Maguire të bëjë të njëjtën gjë, ndonëse në skuadra si Liverpool dhe Manchester United, presioni është gjithmonë në rritje.

Van Dijk është një nga kandidatët më të fortë për të fituar ‘Topin e Artë’, sidomos pas suksesit të jashtëzakonshëm që pati me Liverpoolin në ‘Champions League’. Nga ana tjetër, Harry Maguire shihet si një zgjidhje e problemeve të Manchester United në mbrojtje, ndonëse ka shumë persona brenda dhe jashtë klubit anglez, që dyshojnë tek aftësitë e Maguire dhe e cilësojnë si të mbivlerësuar. Trajneri Solskjaer pranoi se klubi e ndiqte prej kohësh 26-vjeçarin dhe besojnë se mund të ndihmojë skuadrën të rikthehet të jetë sërish kompetitive.