Virgil Van Dijk mund të rinovojë kontratën me Liverpool. Është ky lajmi që vetë mbrojtësi i The Reds ka bërë të ditur publikisht në një deklaratë mediatike. “Kemi bërë progres për çështjen e rinovimit. Nuk e di nëse do të qëndroj ose jo. Të shohim, por kemi bërë disa bisedime të brendshme. E dua këtë klub. I dua tifozët, të cilët kanë qenë gjithmonë aty në mbështetje të skuadrës”, ka deklaruar ndër të tjera mbrojtësi i qendrës.
Virgil Van Dijk është në muajt e fundit të kontratës aktuale me The Reds, çka do të thotë, që nëse nuk rinovon, atëherë ai do të largohet me kosto zero nga Anfield. Megjithatë, fjalët e thëna së fundmi nga kapiteni i kryesuesve të Premier League, mesa duket kanë rikthyer njëfarë shprese tek përkrahësit e skuadrës së kuqe.
Van Dijk është pjesë e Liverpool që prej Janarit të 2018-të, atëherë kur u transferua për 85 milionë euro dhe e vërteta është se ndikimi i tij në sukseset e gjigantëve të Merseyside ka qenë i jashtëzakonshëm. Mbetet për t’u parë se ç’do të rezervojë e ardhmja e afërt për 33 vjeçarin hollandez, teksa ai e ka shprehur hapur dëshirën për të qëndruar akoma në shtëpinë e 19 herë kampionëve të Anglisë.