Van de Beek; rritet interesimi për mesfushorin e Ajaksit

Sport

Donny van de Beek vijon të jetë një nga profilet më interesant të kësaj merkatoje verore. Holandezi është prej kohësh nën radarët e Real Madrid dhe ndonëse pak kohë më parë vetë lojtari tha se mund të qëndrojë edhe për 1 vit tek Ajaksi, skuadra të ndryshme vazhdojnë të interesohen për shërbime e tij. Përveç Real Madrid, edhe Manchester United ka filluar të bëjë disa lëvizje konkrete për afrimin e Van de Beek. ‘Djajtë e kuq’ kërkojnë të shfrytëzojnë marrëdhëniet e mira me drejtorin aktual të Ajaksit, ish-portierin Van der Sar, për të bërë më të lehtë lëvizjen e Van de Beek drejt ‘Old Trafford’. Megjithatë, fakti që shumë skuadra kërkojnë kartonin e 23-vjeçarit, bën që për të, të hapet një ankand. Në Angli, lojtari ka edhe pëlqimin e Everton apo të Neëcastle, që me pronarët e rinj, ka fuqinë financiare për të sfiduar edhe klubet më të mëdha të Europës. Në fund do të jetë vendimi i vetë lojtarit, që mediat spekulojnë se do të shtyjë për një transferim tek gjigandët spanjollë të Real Madrid. Tek ‘los blancos’, spekulimet për afrimin e Van de Beek nuk janë konfirmuar asnjëherë zyrtarisht, por trajneri Zidane e ka shprehur qartë admirimin e tij për mesfushorin e Ajaksit. Për kartonin e van de Beek, Ajaksi kërkon të paktën 65 milionë euro, çmim ky që mund të rritet ndjeshëm nëse klubet angleze të interesuara për shërbimet e tij, do të këmbëgulin deri në fund për ta blerë gjatë kësaj vere.