Van de Beek i habit të gjithë me deklaratën lidhur me qëndrimin tek Ajaksi

Sport

Donny van de Beek është kthyer në një nga objektivat kryesorë të merkatos së Real Madrid, pasi transferimi i Pogba nga Manchester United tashmë është një mision i pamundur. Si Van de Beek, edhe drejtuesit e Ajaksit e kanë pranuar se madrilenët kanë shfaqur interes konkret për shërbimet e lojtarit, por kampionët e Holandës kërkojnë ta mbajnë lojtarin edhe për një sezon tjetër. Vetë Van de Beek u është përgjigjur këtyre spekulimeve të merkatos, duket thënë se është entuziasmuar kur ka mësuar interesimin e një klubi kaq të madh sa Real Madrid. Megjithatë, 22-vjeçari thotë se me shumë gjasa do të vijojë të luajë për Ajaksin edhe për një sezon tjetër, pavarësisht se e intrigon jo pak një transferim në Spanjë.

Van de Beek thotë se është krenar që është pjesë e Ajaksit dhe mendon të luajë tek kampionët e Holandës edhe për një sezon tjetër, ndonëse e pranoi se kjo gjë nuk varet vetëm nga ai. Mesfushori ka kërkuar nga drejtuesit e ‘harkëtarëve’ të qartësojnë të ardhmen e tij sa më shpejt dhe Overmars është përgjigjur menjëherë se brenda pak kohësh do të merret një vendim. Trajneri Erik ten Hag kërkon qëndrimin e lojtarit në Amsterdam, por tek drejtuesit po e shqyrtojnë mundësinë e shitjes që në këtë verë, pasi i tremben një ulje të çmimit të kartonin të lojtarit në sezonin e ardhshëm, diçka do të varet nga ecuria e 22-vjeçarit dhe e skuadrës së Ten Hag. Real Madrid ende nuk ka bërë një ofertë konkrete për Van de Beek, por tek Ajaksi tashmë duket se duhet të marrin një vendim.