Valverde sërish në diskutim, vendimtare kupa e Mbretit!

Sport

Të ikë apo të mos ikë, kjo është çështja në Camp Nou për Ernesto Valverden. Gazeta Marca analizoi të mërkurën situatën që po kalon trajneri i Barcelonës pas një tjetër sezoni zhgënjyes në UEFA Champions League. Javën që shkoi presidenti Josep Maria Bartoemu konfirmoi atë që po spekulohej më së shumti, se Valverde do të qëndronte edhe vitin e ardhshëm. Por sërish një hije dyshimi dhe skepticizmi e rrethon ambientin katalan. Sipas gazetës Marca, përmbysja 4-0 në Anfield ishte shpërfytyrimi i radhës i një skuadre që ishte përshkruar si një hap drejt finales dhe titullit kampion Evrope.

Ripërsëritja e së njëjtës katastrofë si ajo në Romë një vit më parë ka bërë që të gjithë të mos flasin më në Camp Nou. Valverde nga ana e tij e kaloi çdo kërkesë llogarie nga gazetarët duke u justifikuar e duke thënë se mbetej me vëmendje absolute te e ardhmja e skaudrës. Gjithsesi sipas Marcas nëse Valverde dështon të fitojë finale e Kupës së Mbretit në Benito Villamarin atëherë gjërat mund të përmbysen edhe në këtë drejtim. Nëse Valencia triumfon ndaj Barcelonës, atëherë ky sezon për Valverden nuk mund të quhet i suksesshëm dhe pozitat e tij do të viheshin seriozisht në diskutim, pasi drejtuesit po investojnë miliona vit pas viti. Lojtari më i fundit në radhë për t’iu bashkuar katalanasve pritet të jetë Antoine Griezmann.