Valverde nuk e nënvlerëson Slavian, thotë se i trembet kundërsulmeve të çekëve

Sport

Ernesto Valverdes, trajneri i Barcelonës:

“Do të luajmë ndaj një kundërshtari që e kanë treguar forcën e tyre në dy ndeshjet e para të ‘Champions League’-ës. Slavia nuk duhet të nënvlerësohet. Ata janë shumë të fortë fizikisht dhe vrapojnë tej mase. Kjo mund të na i vështirësojë disa gjëra. Do të jetë një ndeshje me rëndësi për të dyja ekipet. Mendoj se Slavia është një skuadër më e rrezikshme se sa mendojnë njerëzit. Edhe përballë kundërshtarëve me emër, kanë luajtur plot personalitet dhe dëshirë. Ne shihemi si favoritë, por në fushë janë 11 kundër 11. Duhet të jemi të përqëndruar në fushën e lojës. Nëse nënvlerësojmë ndonjë situatë, atëherë ndeshja mund të na dalë nga kontrolli dhe kjo do të kishte pasoja në fund. Jemi përgatitur për të neutralizuar pikat e tyre më të forta dhe besoj se skuadra ime ka për të bërë një punë shumë të mirë.”

Clément Lenglet, mbrojtës i Barcelonës:

“Slavia është një skuadër që ka shumë lojtarë cilësorë. I kam parë se si luajnë dhe pavarësisht rivalit që kanë përballë, ata përpiqen të luajnë lojën e tyre. Është një skuadër e talentuar, që i pëlqen të sulmojë. Ne i respektojmë dhe do të zbresim në fushë për të dhënë maksimumin që nga fillimi i takimit. Duhet të tregojmë kujdes ndaj kundërsulmeve të tyre, pasi janë të shpejtë dhe mjaft të fortë në luftën fizike. Gjithësesi jemi përgatitur edhe për këtë pjesë dhe ndihemi gati për të zbritur në fushë.”