Valverde, ‘i urti’ që kërkon të imitojë Guardiolan e L.Enrique!

Sport

Një tripletë trofesh qendron në horizont, për këtë fundsezon të Barcelonës. Arkitekti, i cili po kërkon të realizojë projektin madhor, është ai, “Njeriu i qetë” i futbollit spanjoll. Atë që bëri Pep Guardiola në 2009-n dhe Luis Enrike në 2015-n mund ta realizojë këtë vit edhe Ernesto Valverde. Tre ‘tripleta’ brenda një dekade do të ishte vërtet e jashtëzakonshme. Për më tepër, me 3 trajnerë të ndryshëm. Valverde nuk ka intensitetin gjenial të Pep, apo energjinë e teknikut aktual të Spanjës, por njësoj si dy paradhësit e tij imponon respekt dhe është tip unik.


Barcelona është shembulli i suksesshëm, kur vjen puna për t’i besuar skuadrën një ish-futbollisti të klubit. Edhe pse mund të përbëjë rrisk. Kjo dha efekt me Pep në 2008-n, kur përvoja e tij e vetme ishte te Barcelona B në kategorinë e 3-të spanjolle. Funksionoi edhe me Luis Enriken, megjithëse dështoi në drejtimin e Romës. Tani duket se është në rrugë të mbarë edhe me Valverden, megjithëse sukseset e tij të vetme përpara se të vinte në “Camp Nou” ishin 3 tituj kampionë të Greqisë me Olimpiakosin dhe një Superkupë e Spanjës me At.Bilbaon. E të thuash se nuk ka qenë as ndonjë futbollist me karrierë aq të pasur sa Guardiola apo Luis Enrike. Ai luajti vetëm 24 ndeshje si sulmues për katalanasit, nga 1988-a deri në 1990-a. Por fakti që u drejtua nga Johan Cruyff edhe në një periudhë kur aktivizohej kryesisht nga stoli, do të thotë se ishte ulur përkrah atij, i cili është cilësuar si babai i Barcelonës moderne. Dhe me siguri diçka i ka vlejtur.


Ndryshe nga paradhësit e tij, Valverde ia ka dalë të menaxhojë më së miri edhe Lionel Messin, të cilit i ka mësuar… pushimin. Jo më kot argjentinasi ka luajtur kuotën më të ulët të minutave gjatë muajit prill, pikërisht këtë vit, si asnjëherë më parë në karrierën e vet: 4 nga 8 ndeshje i ka nisur nga stoli. Ndërsa përveçse i ka dhënë skuadrës një balancim në mbrojtje, ka ditur të shuajë edhe “shkëndijat’ që mund ktheheshin në “zjarre”, sa i takon alternimit të Coutinhos dhe Dembele. Në këtë pikë synon të arrijë Guardiolan dhe Luis Enriken, duke fituar ‘Tripletën’.