Drejtuesit e Valencias kanë vendosur të ndërpresin kontratën me trajnerin Marcelino Garcia, pavarësisht se ky i fundit e kishte udhëhequr skuadrën drejt ‘Champions League’-ës në 2 sezonet e fundit. Vendin e tij në stol do ta marrë Albert Celades, i cili është shprehur se ndihet gati për një sfidë kaq të madhe në karrierën e tij. Vendimi i papritur i marrë nga kryesia e klubit spanjoll ka habitur jo pak edhe lojtarët e ekipit, që nuk kanë nguruar të shfaqin zemërimin e tyre për këtë largim të Marcelinos. Një nga ata që ka reaguar më ashpër ka qenë mbrojtësi Ezequiel Garay, i cili duke shfrytëzuar rrjetet sociale, është shprehur se vendimi për të larguar Marcelinon, është si një tradhti që i bëhet lojtarëve dhe tifozëve të skuadrës. Garay shton se veprimet flasin më shumë se fjalët dhe se Marcelino është larguar me krenari nga dera kryesore. Në fund, mbrojtësi argjentinas e mbyll me frazën: ‘Nuk është e drejtë’. Të njëjtin mendim me shokun e skuadrës ndan edhe kapiteni Dani Parejo, i cili gjithashtu e falenderoi Marcelinon që e bëri Valencian një klub më të madh.
Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, ka qenë disa mosmarrëveshje mes trajnerit Marcelino dhe disa prej drejtuesve të skuadrës që kanë çuar deri në marrjen e vendimeve ekstreme. Ndërsa Albert Celades vjen pasi disa eksperiencave si asistent tek Spanja dhe Real Madrid, në krah të Lopetegui-t. Ai nënshkroi një kontratë 2-vjeçare, ku do të ketë të njëjta objektiva që i ishin vendosur edhe Marcelino. Ky i fundit ia doli që sezonin e shkuar t’i jepte klubit trofeun e ‘Copa del Rey’, teksa mposhtën në finale Barcelonën dhe është i pari trajner që shkarkohet në ‘La Liga’ për këtë sezon.