Goncalo Guedes është plotësisht një lojtar i Valencias. Janë mbyllur me sukses negociatat e vazhdueshme të klubit spanjoll me PSG, që zotëronte edhe kartonin e lojtarit. Portugezi luajti sezonin e kaluar tek Valencia si i huazuar nga kampionët e Franës dhe spanjollët kishin filluar tratativat për blerjen përfundimtare të tij që në muajin janar. Mirëpo PSG nuk kërkonte të hiqtë dorë nga 21-vjeçari për një shifër më të ulët se 50 milionë euro, çfarë u duk e tepruar për drejtuesit e Valencias. Rol thelbësor pati dëshira e vet lojtarit për të qëndruar në Spanjë, që detyroi drejtuesit e PSG të pranonin ofertën përfundimtare të Valencias prej 40 milionë eurosh.
Skuadra spanjolle këtë sezon do të luajë edhe në Champions League, dhe nuk donin të privoheshin nga shërbimet e një lojtari që dha një kontribut të rëndësishëm për ringritjen e “Los Che”. Me Valencian thuhet se lojtari do të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare dhe do të jetë blerja e 10 e skuadrës spanjolle në këtë merkato verore, ku më parë u afruan emra si Batshuayi, Gameiro apo Murillo. Sezonin e kaluar, Goncalo Guedes zhvilloi 38 takime me fanellën e Valencias, ku shënoi 6 gola dhe shërbeu 11 asiste. Ndërkohë që është edhe lojtari që ka krijuar më shumë raste për “Los Che”.