Valencia – Atalanta, Celdas qan mungesën e publikut, Gasperini pret të festojë

Sport

Alberto Celades (trajner i Valencias):
“Nuk besoj se duhet një mrekulli për të ecur përpara. Mjafton fakti që kemi treguar se jemi të fortë në fushën tonë. E gjithashtu zotërojmë lojtarë, të cilët kanë qenë shpesh protagonistë të përmbysjeve të mëdha evropiane. Prandaj besojm se mund t’ia dalim. Megjithatë është e vështirë për ne të kuptojmë vendimin, që nuk do të kemi tifozët në mbështetje për këtë ndeshje përballë Atalantës. Nuk është e drejtë të luhet pa ata në shkallët e stadiumit, në një kohë kur ditët e fundit autoritetet spanjole kanë lejuar brenda vendit evente të tjera me grumbullime të shumë njerëzve. Edhe kjo, njësoj si 8 marsi, nuk është një festë çfarëdo, por një festë mjaft e veçantë”

Jose Luis Gaya (lojtar i Valencias):
“Sigurisht që do të kushtëzohemi nga fakti që do të luajmë pa praninë e tifozëve. Nuk është e drejtë që ata luajnë me mbështetjen e tifozëve të tyre, ndërsa ne do të duhet ta bëjmë pa publikun tonë. Në fund të fundit besoj se avantazhi i të luajturit në shtëpi janë pikërisht tifozët që ke në mbështetje. Gjithsesi, ne do të kërkojmë të vazhdojmë serinë e ndeshjeve që kemi pa humbur në fushën tonë, në ‘Mestaja’. Megjithëse e dimë që nuk do të jetë njësoj, pasi pjesa më e rëndësishme janë tifozët, të cilët na kanë mbështetur maksimalisht”.

Giampiero Gasperini (trajner i Atalantës):
“Në Valencia ka ndjesi të tjera nga ato që ekzistojnë në Bergamo dhe Itali. Mbërritëm këtu qetësisht, nuk kemi pasur kontrolle të veçanta. Jetohet ashtu siç jetonim ne në Itali përpara 20 ditëve. Sigurisht që shqetësimi është i dukshëm. Fakti që do të luajmë pa tifozë nuk është i mirë, por mendoj se shëndeti i njerëzve vjen para të gjithave. Rezultati i ndeshjes së parë na e ka shtuar besimin. Duhet të jemi të përqendruar, të mbrohemi mirë dhe të shënojmë gol. Prandaj po punojmë psikologjikisht për të vazhduar me paraqitjet pozitive. Skuadra u tregua e madhe në ndeshjen e parë, por nuk do të festoj derisa të mbyllet edhe ky takim i dytë. Kualifikimi është objektivi i madh, përderisa do të ishte shpërblimi i duhur për klubin dhe tifozët“.

Robin Gosens (mbrojtës i Atalantës):
“Kemi ardhur këtu me dëshirën për të kaluar më tej. Natyrisht që situata është paksa e ndërlikuar për shkak të coronavirusit. Megjithatë për neve e rëndësishme është që të vendosim zemrën në fushë, në mënyrë që të kualifikohemi. Luajtja pa tifozë do të jetë një situatë paksa e çuditshme. Do të ketë paksa pasiguri edhe sa i takon skuadrës tonë. Gjithsesi nuk di të them nëse ky mund të jetë një avantazh, apo disavantazh për ne. Mendoj se do ta zbulojmë, vetëm duke zbritur në fushën e lojës”.