Pa frikë, Myrto Uzuni mund të jetë njëri nga lojtarët që gjatë muajve të fundit ka pësuar rritjen më të madhe të vlerës së kartonit të tij. Sulmuesi i kombëtares shqiptare aktualisht ka kapur vlerën prej 9 milionë eurosh, ndërsa vazhdon të jetë pjesë e Granadës, që tani është ngjitur në La Ligan spanjolle.
Vetëm një vit më parë, në qershor 2022, vlera e kartonit të beratasit ishte vetëm tre milionë euro. Edhe pse vitin e parë e pati mjaft të ndërlikuar, me rënien nga kategoria, në Ligën e Dytë ai arriti të shpërthejë, duke shënuar 23 gola, aq sa fitoi “Këpucën e Artë”, duke qenë më i miri për Granadën që u ringjit në elitën e futbollit spanjoll.
Pikërisht për këtë paraqitje, faqja e specializuar gjermane “transfermark” ia trefishoi vlerën e kartonit, ndërsa pritet me shumë interes të shihet sesi do të paraqitet 28-vjeçari në La Liga, përballë gjigantëve si Barcelona, Real Madrid, Sevilla apo Atletico, skuadër me të cëilën do të nisë edhe sezonin e ri të Primera Division, gjithmonë nëse do të mbetet me Granadan. Ndërkaq, klubi i tij aktual ka dalë në shitje dhe mund të ndërrojë pronarë, ndërkohë që për kartonin e beratasit kërkohen të paktën 18 milionë euro, por në tregun e lojtarëve për momentin ai vlerësohet vetëm 2 herë më pak. Gjithsesi kaq ka mjaftuar që ai të bëhet më i vlerësuari i momentit në radhët e kuqezinjve të përfaqësueses, kjo duke ditur edhe që shumë prej lojtarëve të tjerë të Kombëtares tonë kanë pasur dëmtime, apo janë lënë në stol, aq sa vlera e tyre e kartonit është ulur ose ka mbetur në vend-numëro.