Myrto Uzuni është kthyer përsëri protagonist me gol në kampionatin kroat të futbollit, duke dërguar një sinjal të qartë drejt trajnerit të përfaqësueses, Edi Reja, i cili e ka lënë në listën e pritjes për ndeshjet e tetorit. Sulmuesi ka qenë protagonist në ndeshjen që Lokomotiv Zagreb ka barazuar 1-1 ndaj Rijekës, skuadër rivale për zonën e Kupave të Evropës. Beratasi shënoi gol gjatë pjesës së dytë, duke i dhënë barazimin Lokomotivës së Zagreb. Uzuni, i cili ishte ndër futbollistët më aktivë në këtë sfidë, mori një pasim të saktë para zonës në minutën e 49 dhe me një goditje mjeshtërore dërgoi sferën në rrjetë duke mos i lënë kohë portierit të reagonte. Tëhoqi vëmendjen mënyra e festimit me “telefonatë”, që dukej se i drejtohej trajnerit Reja, i cili e ka lënë mënjanë sa i takon lojtarëve të ftuar për eleminatoret evropiane të 11 dhe 14 tetorit. Ky ishte goli i dytë në këtë sezon për sulmuesin shqiptar, i cili ka pasur një fillim edicioni më të ndërlikuar se zakonisht në klubin e tij për shkak të mungesës së rezultateve.
Listës së kuqezinjve që tundën rrjetën fundjavën që lamë pas, i shtohet edhe Hysen Memolla, tjetër futbollist i lënë në listën e pritjes por që mund të thirret nga Reja për shkak të dëmtimit të Hysajt. Kavajasi që luan në Finlandë me skuadrën e KPV, gjeti rrugën e rrjetës në fund të takimit, duke hipotekuar fitoren 1-4 që ekipi i tij siguroi në fushën e Lahtit. Bëhej fjalë për ndeshja e 7-të të luajtur si titullar për 27 vjeçarin, i cili ka shënuar edhe 3 gola. Edhe pse mbrojtës, Memolla ka treguar nuhatje goli të paktën që kur u transferua nga Salerinatana e Serisë B italiane, drejt kampionatit finlandez.