Utah vijon të fitojë; LeBron i jep fitoren Lakers përballë Bucks

Sport

Giannis Antetokounmpo duket se po has vështirësi sa i përket përballjeve të mëdha në këtë sezon të ri. Greku nuk ia doli të udhëhiqte Milwaukee Bucks drejt fitores në sfidën ndaj LeBron James dhe Los Angeles Lakers, me këta të fundit që triumfuan 113-106. Pikërisht LeBron u shfaq në formë të shkëlqyer, ku në 38 minutat që qëndroi në parket, realizoi 34 pikë, 8 asiste dhe 6 ribaunde. Nga ana tjetër, Giannis e mbylli me 25 pikë dhe 12 ribaunde, që ishin shumë pak për liderin e Bucks. Milwaukee në fakt do ta niste mjaft mirë ndeshjen, duke fituar periodën e parë të lojës me rezultatin e pjesshëm 33-29. Por përgjigja e Lakers erdhi shumë shpejt, teksa përmbysën çdo gjë në periodën e dytë, duke siguruar një avantazh prej 6 pikësh. Kalifornianët rezistuan si duhet deri në fund dhe Giannis e të tjerët nuk ia dolën të shmangnin humbjen e dytë radhazi. Sfidën e kaluar, ata u mposhtën nga Brooklyn Nets, ndërsa tani marrin një mësim edhe nga kampionët në fuqi të NBA.

Vijon të tregojë një formë të jashtëzakonshmë ndërkohë skuadra e Utah Jazz. Të besuarit e Quin Snyder ia dolën të siguronin fitoren e 7 radhazi, teksa mposhtën 129-118, New Orleans Pelicans. Donovan Mitchell ishte shënuesi më i mirë i takimit me 36 pikë, por lideri i Utah ishte i rëndësishëm edhe me 5 asiste dhe 7 ribaunde. Mitchell ishte shpërhtyes sa i përket saktësisë së gjuajtjeve për tre pikë, teksa kompletoi 6, nga 8 tentativa në total. Tek New Orleans, më të mirët ishin Zion Williamson dhe Brandon Ingram, që të dy së bashku realizuan në total 50 pikë. Pikërisht kjo dyshe i dha një avantazh prej plot 12 pikësh skuadrës së Pelicans në periodën e parë. Por Utah ia doli të përmbyste këtë disavantazh brenda pjesës së parë të takimit dhe me ndihmën e Rudy Gobert, menaxhimi i ndeshjes do të bëhej më i thjeshtë.

Nuk mjafton Steph Curry për Golden State, të cilët u mposhtën 119-104 nga New York Knicks. Ylli kryesor i Warriors realizoi 30 pikë, por paraqitja e tij u eklipsua nga Julius Randle, që e mbylli takimin me 16 pikë, 9 asiste dhe 17 ribaunde, duke qenë shumë pranë realizimit të një ‘triple-double’-i. Paraqitje të mirë tek Knicks bënë edhe Barrett me 28 pikë, apo Robinson, që veç 18 pikëve, ishte i rëndësishëm edhe me 8 ribaunde. Pavarësisht rezultatit të kësaj sfide, të dyja skuadrat për momentin mbeten brenda zonës ‘play-off’ në renditjet në ‘Konferencat’ respektive. Golden State tashmë i pret një përballje mjaft e vështirë, pasi do të sfidonë pikërisht ekipin më në formë të momentin, Utah Jazz.