Uruguai kualifikohet falë Suarezit, i cili pas ndeshjes njoftoi se do të bëhet baba për herë të tretë

Sport

suarez
Edhe në ndeshjen e dytë të Grupit A, Uruguai nuk u shfaq ashtu sikurse ishin pritshmëritë. Përballë Arabisë Saudite, “La Celeste” nuk qe konkrete përpara portës. Dyshja e shumëpërfolur Cavani-Suarez, e cila i ka kapërcyer të 30-at dhe me gjasa luan botërorin e fundit, sërish nuk u zhbllokua. Në rrjetë vajti vetëm sulmuesi i Barcelonës. Suarez shënoi në minutën e 23-të, pas një aksioni ku portieri arab kreu një dalje të gabuar. Gjithsesi ky gol ishte domethënës për Suarezin, i cili u bë lojtari i parë uruguaian që shënon në 3 botërorë të ndryshëm. Sulmuesi i katalanasve pati shënuar në Afrikë të Jugut 2010, Brazil 2014 dhe tashmë edhe në Rusi.

suarez2

Goli i 31-vjecarit ndaj Arabisë Saudite përkonte me ndeshjen e 100-të me kombëtaren, por edhe me faktin se bashkëshortja e tij kishte marrë lajmin se ishte shtatëzënë me fëmijën e tyre të tretë. Pas ndeshjes Suarez shkroi në Twitter: “I gëzuar që jam pjesë e historisë së Uruguait duke luajtur 100 ndeshje! I gëzuar që arritëm sërish fazën e 1/16-ve dhe më shumë i gëzuar të ndaj me ju lajmin se do të kemi një fëmijë të tretë” ka shkruar 31-vjecari teksa ka falenderuar tifozët dhe sidomos të dashurit e tij. Në botërorin Brazil 2014, Uruguai u eliminua nga Kolumbia në gjashtëmbëdhjetëshe, pasi pati kaluar një grup ferri me Anglinë, Italinë dhe Costa Rican.