Manchester United u bë skuadra e pestë angleze që siguron pjesëmarrjen në Champions League-ën e sezonit të ardhshëm. Djajtë e Kuq e siguruan biletën e fundit përmes triumfit në Europa League përballë Ajaxit në Stokholm. Pas një sezoni tejet të vështirë, ku në Premier League United vuajti 15 barazime dhe e mbylli në vendin e gjashtë, objektivi për Jose Mourinhon ishte i qartë, sukses në Europa League për t’ia nisur sezonit të ardhshëm në mënyrën më të mirë të mundshme. Pas sulmit terrorist në Manchester Arena, ku humbën jetën 22 persona, skuadra, por edhe tifozët ishin tejet e karikuar emocionalisht. Paul Pogba, Rashford dhe pjesa më e madhe e lojtarëve ia kushtuan fitoren qytetit dhe familjarëve të viktimave. Ndërkohë për sa i përket Jose Mourinhos, portugezi shënoi disa statistika premtuese për sezonin e ardhshëm. Kështu 54-vjecari fitoi finalen e katërt Evropiane si trajner. Pas triumfeve me Porton në UEFA dhe Champions League, dhe po kështu me Interin në trofeun prestigjioz, vjen ky sukses me United-in, që ai e cilësoi pikënisjen për një të ardhme të ndritur. Djajtë e Kuq iu bashkuan Ajaxit, Chelsea-it, Juventusit dhe Bayernit si skuadrat e vetme që i kanë fituar të dyja trofetë e rëndësishëm të kontinentit. Ndërkohë kampjonati anglez, feston bashkë me United-in, pasi bëhet kampjonati i dytë pas atij spanjoll që nxjerr 5 skuadra në Champions League.