“90 minutat e para ishin shumë të vështira. Luanim në stadiumin e tyre dhe e dinim se ata ishin favoritë. Të njëjtën qasje duhet të kemi edhe ne në këtë ndeshje të dytë. Mendoj se me tifozët krah nesh, mund të luajmë si favoritë edhe ndaj një kundërshtari si Liverpool-i. Për ne, të mbërrinim deri këtu ka qenë mjaft e vështirë. Kemi bërë një punë të jashtëzakonshme për të mbërritur në fazën gjysmëfinale dhe nëse do ta kalonim më tej, do të ishte thuajse një rrugëtim i ekzekutuar në perfeksion. Është e rëndësishme që këtë herë të luajmë si duhet, sipas mënyrës sonë. Në sfidën e parë, shumë gjëra u komplikuan nga ambjenti dhe presioni i lartë, por besoj se djemtë kësaj radhe do të dinë të përgjigjen. Është një ndeshje që në aspektin fizik, të stërmundon. Por edhe psikologjikisht, është një ndeshje e lodhshme, sepse mund të zgjidhet nga episodet. Ajo se çfarë mund të bëjë diferencën për ne, është të jemi konkret në momentin kur kemi topin në zotërim. Kemi analizuar me kujdes disa detaje nga ndeshja e parë sa i përket fazës mbrojtëse. Përgjithësisht, bëmë një punë të mirë, por duhet të eleminojmë mundësitë që të ndëshkohemi nga episodet. Në sulm, kemi lojtarë që janë shumë të aftë në duelet një kundër një dhe nëse fizikisht do të jemi në gjendjen e duhur, atëherë jam i bindur që do të dimë të godasim. Ende nuk e kam vendosur se çfarë formacioni do të hedhë në fushë. Do të shoh me kujdes gjendjen e të gjithë lojtarëve deri në seancën e fundit stërvitore. Më pëlqen fakti që të gjithë kanë punuar shumë gjatë kësaj jave. Të gjithë duan të japin kontributin e tyre dhe kjo më jep më shumë mundësi zgjedhjeje sa i përket lojtarëve që do të zbresin në fushë.”