Ultrasit e Sevillas dalin kundër transferimit të Sergio Ramos

Sport

Pavarësisht dëshirës për të luajtur edhe një herë tjetër me klubin e parë të karrierës së tij, Sergio Ramos nuk është pritur aspak mirë nga ultrasit e Sevillas. Këta të fundit, nuk janë aspak dakord që mbrojtësi i qendrës është rikthyer sërish në Ramon Sanchez Pizjuan, për shkak të krisjes së marrëdhënieve disa vite më parë.

Madje, në lildhje me këtë situatë, ultrasit kanë mbajtur edhe një qëndrim në rrjetet sociale, teksa kanë bërë të qartë se për ta, Ramos nuk është i mirëpritur në atë që konsiderohet si shtëpia e tij dhe se kjo është një politikë e klubit, me të cilën ata nuk pajtohen aspak.

“Ne mendojmë se ky transferim i shkon për shtat vetëm interesave të disa menaxherëve, të cilët nuk e kuptojnë rëndësinë e një klubi si Sevilla. Megjithatë, ne nuk jemi në anën e atyre që shkelin mbi disa parime të rëndësishme, por gjithmonë do të jemi në anën e Sevillas”, thuhet në deklaratën e ultrasve të klubit spanjoll.

Megjithatë, tifozët kanë bërë gjithashtu të ditur se Ramos nuk do të vërshëllehet, por ata kanë refuzuar kategorikisht të jenë në përkrahje të tij.

Ramos ka nënshkruar një kontratë një vjeçare me klubin andaluzian, me mundësi rinovimi edhe për një të dytë. Ai do të përfitojë vetëm 1 milionë euro në sezon me kampionët e Europa League, duke refuzuar 20 milionë euro nga sezon nga Arabia Saudite, apo më tepër sesa 10 milionë euro nga Galatasaray.

Sigurisht që ky është një tregues se zemra e Ramos rrihte vetëm për Sevillan, por 37 vjeçari duhet të shkrijë akullin me ultrasit e klubit, të cilët, nuk e kanë mirëpritur rikthimin e tij në shtëpi.