UEFA zyrtarizon rregullin e njëjtë me të FIFA-s, do lejohet zëvendësimi i katërt në shtesë

Sport

uefa

Tashmë është zyrtare, ndryshimi i katërt në kohë shtesë do të lejohet edhe në Champions League. Zëvendësimi i Erokhin, në minutën e 97-të të sfidës Spanjë-Rusi, ishte i pari në historinë e futbollit që tejkalonte rregulloren e vjetër e cila mundësonte vetëm 3 zëvendësime për ndeshje. Pikërisht rregulli i ri, i aplikuar për këtë botëror, i mundëson skuadrave që në kohë shtesë të kryejnë edhe një zëvendësim të katërt. Kjo gjë ka ndryshuar rrënjësisht jo vetëm pritshmëritë por edhe strategjitë e lojës, pasi kemi parë që tanimë trajnerët preferojnë të ruajnë një zëvendësim nga 90-minutëshi dhe në kohë shtesë të aplikojnë 2 zëvendësime.

fifa

Pra rregullorja e re ka ndryshuar edhe strategjinë, apo qasjen në ndeshje që duken tejet të mbyllura. Për këtë UEFA ka vendosur t’i paraprijë ndryshimeve dhe ta mundësojë këtë rregull të ri edhe në Champions dhe Europa League. Ky rregull do të mundësohet që në Super-Kupën e Evropës që do të luhet në Talin të Estonisë më 15 gusht. Real Madrid-Atletico mund të bëhen të parat në rang klubesh që e shijojnë këtë rregull të ri, ndërsa për sa i përket grup-moshave dhe futbollit të femrave, atyre do t’u lejohen 5 zëvendësime.