Në vitin 2010, UEFA publikoi një seri rregullash të reja sa i përket menaxhimit të bilanceve financiare të klubeve europiane, në një paketë të njohur si ‘Fair-Play’ financiar. Epo këtyre rregullave tashmë u ka ardhur fundi.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, komisioni i UEFA-s ka konfirmuar nisjen e një epoke të re sa i përket monitorimit dhe menaxhimit të bilanceve financiare të klubeve.
Që nga qershori i këtij viti, do të hyjnë në fuqi rregullat e reja, që krijon jo pak lehtësira për klubet në kampionatet më të rëndësishëm të kontinentit. Rregullorja e re do të mbështetet në 3 gjëra: stabiliteti financiar, kontrolli dhe menaxhimi i kostove dhe fuqia ekonomike e klubeve.
Kjo e fundit, ka të bëjë me pagesat që klubet duhet t’i kryejnë brenda limiteve kohore të caktuara në kontratat e ndryshme, duke bërë që fjala ‘borxhe’ të tolerohet gjithnjë e më pak. Këtu bëhet fjalë edhe për pagesat që një klub i detyrohet autoriteteve vendore, lojtarëve, stafit apo edhe palëve të treta. UEFA do të bëjë kontrolle të vazhdueshme, çdo 3 muaj dhe është paralajmëruar se do të ketë gjithnjë e më pak tolerancë ndaj atyre që vazhdojnë të shfaqin probleme në këtë aspekt.
Ky ndryshim vjen edhe për faktin se çdo ditë e më shumë, UEFA është e detyruar të përballet me gjyqe të ndryshme që vijnë për shkak të mospagesave korrekte të klubeve ndaj lojtarëve, trajnerëve apo agjentëve të tyre. kontrolli dhe menaxhimi i kostove është ndoshta risia më e madhe e kësaj pakete të re rregullash. Që nga qershori i ardhshëm, klubet europiane, për pagat e lojtarëve, transferimet në merkato, apo komisionet ndaj agjentëve, do të lejohen të përdorin vetëm 70% të të ardhurave vjetore. Edhe në këtë rast, vlerësimet do të kryhen nga UEFA në periudha të shkurtra kohore dhe janë paralajmëruar ndëshkime të rënda, që shkojnë deri në përjashtimin nga kompeticionet europiane.