Porto ka fituar për herë të parë në historinë e saj kompeticionin më të rëndësishëm të UEFA-s sa i përket skuadrave të moshave, Youth League, me portugezët që mposhtë në finale favoritët londinezë të Chelseat. Në takimin e zhvilluar në Colovray, në Nyon të Zvicrës, ishin pikërisht ‘dragonjtë’ e vegjël të drejtuar nga Mario Silva që kaluan në avantazh, pas golit të Fabio Ferreira Vieira në minutën e 17. Në fillimin e pjesës së dytë, Chelsea do të gjente golin e barazimit me Daishawn Redan, që goditi saktë me kokë një krosim të Famillo-Castillo, duke shfrytëzuar edhe daljen e gabuar të portierit Diogo Costa.
Megjithatë, vetëm 2 minuta më pas, në të 53-tën, kapiteni i Portos, Diogo Quieros do të ishte me fat teksa mposhti portierin Ziger të londinezëve për t’i dhënë edhe njëherë avantazhin Portos. Finalja do të vulosej në minutën e 75, kur Afonso Sousa, i hedhur në lojë si zëvendësues, do të shënonte golin e fundit për rezultatin final 3-1. Ky ishte triumfi i parë për Porton në historinë 6-vjeçare të këij kompeticioni, duke u bërë edhe skuadra e parë portugeze që fiton UEFA Youth League. Më parë, Benfica kishte arritur dy herë në finale, por pa mundur ta ngrejë lart trofeun e dedikuar për ish-presidentin e UEFA-s, Nils Lennart Johansson. Chelsea, 2 herë fituese e këtij kompeticioni vinte në finale për herë të katërt, pasi kishte eleminuar më parë Barcelonën falë 11-metërshave.