Pasi mori dënimin me uljen e pikëve në renditje nga drejtësia sportive në Itali, Juventusi tani rrezikon edhe një ndëshkim nga ana e ‘UEFA’-s. Institucioni më i rëndësishëm i futbollit europian ka nisur prej kohësh hetimin për shkeljen e ‘fair-play’-t financiar nga ana e klubit torinez, si edhe për një sërë rregullash të tjera që mendohet të jenë thyer nga ana e bardhezinjve. Vendimi final rreth rezultateve që do të sjellin këto hetim supozohej të bëhej i ditur nga ‘UEFA’ në fundin e qershorit, mirëpo është kërkuar më shumë kohë për të analizuar me detaje edhe provat e sjella nga drejtuesit e Juventusit në mbrojtje të tyre. Megjithatë, duket e pashmangshme që bardhezinjtë ta kalojnë këtë situatë pa një ndëshkim serioz, që përflitet se mund të jetë përjashtimi nga kompeticionet europiane për të paktën 1 vit. Përpos kësaj, klubit do të detyrohet të paguajë edhe një gjobë të majme, që mund të kalojë shifrën e 20 milionë eurove e çfarë rëndon jo pak në arkat e klubit në një moment kaq delikat. Në fundin e vitit të shkuar, drejtuesit e Juventusit kishin firmosur një marrëveshje me ‘UEFA’-n në lidhje me parregullsitë e konstatuara në disa prej transferimeve të lojtarëve, ku torinezët do të paguanin vetëm 3 nga 23 milionë euro të gjobës fillestare, por me kusht, realizimin e disa objektivave të vendosura nga ‘UEFA’. Një prej tyre mendohet të ketë qenë edhe përmirësimi i raporteve të bilancit, gjë që tek Juventusi jo vetëm që nuk e kanë kompletuar si mision, por pas 2022/2023-shit, shifrat janë përkeqësuar edhe më tej. Në këtë mënyrë, veç përjashtimit nga kompeticionet europiane, Juventusi mund të detyrohet të paguajë edhe gjobën prej 23 milionë eurosh. Vendimi final i drejtësisë sportive europiane do të vijë me gjasa në fundin e muajit korrik, përpara hedhjes së shortit për ‘Conference League’, aty ku supozohet të luajë Juventusi në sezonin e ardhshëm. Deri atëherë, drejtuesit bardhezi duhet të dorëzojnë të tjera faktë në mbrojtje të tyre, nëse nuk duan që dënimi i gjykatës sportive, të jetë shembullor.