Kartoni i kuq, me të cilin u ndëshkua në “Mestaja” të Valencias i ka kushtuar Cristiano Ronaldos vetëm një ndeshje pezullim. Sulmuesi i Juventusit u nxorr nga fusha, për kontaktin që pati me mbrojtësin Murillo në zonën spanjolle, gjatë ndeshjes së luajtur më 19 shtator, e vlefshme për fazën e grupeve të Champions League. Atëherë kur, edhe pse mbetën me 10 lojtarë, bardhezinjtë arritën të fitojnë 2-0, falë golave me penallti të Miralem Pjanic. Gjithsesi, ai ndëshkim maksimal i portugezit – që ishte në debutimin e tij me fanelën e Juventusit në një ndeshje të Champions League – pati ngjallur mjaft polemika, në lidhje me aplikimin e teknologjisë VAR në kompeticionin kontinental për klube. Ky dënimi i dhënë të enjten nga Disiplinori i UEFA-s, erdhi në bazë të asaj që ka referuar gjyqtarit gjerman, Felix Brych. Por natyrisht që janë vlerësuar edhe imazhet në dispozicion. Portugezi, që rrezikone deri në 3 javë pezullim, do të mungojë vetëm në ndeshjen e radhës të grupit H.
Ndërsa do të jetë në dispozicion për transfertën e shumëpritur të 23-tetorit në “Old Traford” kundër Manchester Junaited, skuadër ku CR7 u bë i famshëm. Kështu, Ronaldo nuk do të jetë i gatshëm vetëm për sfidën e së martës 2 tetor, ora 18:55, kur në “Alianz Stadium” të Torinos do të zbarkojnë zviceranët e Young Boys. Kundërshtar që në letër është i kalueshëm për të besuarit e Allegrit, i cili megjithatë duhet të bëjë edhe pa të dëmtuarin Douglas Costa në sulm dhe nuk do të ketë as Sami Khedira në mesfushë. Gjithsesi, tekniku bardhezi mund të mbështetet tek dyshja Mandzukic-Dybala. Veçanërisht, argjentinasi vjen pasi rigjeti rrugën e golit në Serinë A përballë Bolonjës. E tashmë synon të ndërpresë edhe “agjërimin” në Champions League. Kompeticion në të cilin edicionin e kaluar arriti të shënojë vetëm një herë, saktësisht në takimin e kthimit të të tetave të finaleve përballë Totenhemit.