UEFA vendos: Ja kur dhe si do të finalizohet Champions League!

Sport

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s votoi në favor të zhvillimit të Champions League me formatin “Final-eight” në Lisbonë, që do të thotë se duke filluar nga 12 gushti, 8 skuadrat më të mira të Evropës, do të ndeshen me njëra tjetrën në duele teke. Më 10 korrik do të hidhet edhe shorti për të caktuar ciftet cerekfinale, që do të luhen në datat 12, 13, 14 e 15 gusht. Më tej do të jetë i përcaktuar rrugëtimi edhe për gjysmëfinalet, të programuara për t’u zhvilluar në datat 18 dhe 19. Ndërsa gjithcka do të mbyllet me finalen, që do të jetë të dielën e 23 gushtit.

Sa i takon të tetave të finaleve që janë për t’u luajtur, mbetet të vendoset nëse do të luhen në qytetet e skuadrave pritëse, apo në Oporto dhe Guimaraes, në varësi të vendimeve të autoriteteve të Anglisë, Italisë, Spanjës dhe Gjermanisë. Presidenti i UEFA-s, Ceferin la të hapur mundësinë e zhvillimit të ndeshjeve me tifozë. Megjithëse të paktën, për këtë moment, e përjashtoi si opsion. Ai pranoi se zgjedhja e finales ra mbi Portugalinë, pasi Federata e këtij vendi ishte e para që i ofroi ndihmë. Ndërsa u konfirmua zhvillimi i finales në Stamboll, për vitin 2021, me tifozë. Teksa pohoi edhe se kjo është zgjidhja më e mirë që mund të bëhej në një situatë emergjente.

Nga ana tjetër, Europa League do të fillojë me sfidat e prapambetura të të tetave, më 10 gusht, për të vijuar më pas me cerekfinalet dhe gjysmëfinalet që do të luhen në Gjermani, aty ku finalja është programuar më 21 gusht në Këln.
Gjithashtu është zyrtarizuar edhe data dhe qyteti i Superkupës së Evropës, që do të luhet më 24 shtator në Budapest të Hungarisë.
Kurse Athina do të presë ceremoninë e “UEFA Player of the Year” në fillim të muajit tetor, bashë me shortin për fazën e grupeve të Champions League për sezonin e ardhshëm që do të nisë më 20 tetor.