UEFA publikon lojtarët e sezonit në Champions, zhgënjejnë ekipet italiane dhe spanjolle!

Sport

Menjëherë pas finales së madhe të ‘Champions League’, vëmendja kalon edhe tek statistikat apo vlerësimet në tërësi të sezonit që sapo u mbyll. UEFA ka publikuar edhe lojtarët e këtij edicioni të ‘Champions League’, ku bie në sy fakti që mungojnë përfaqësuesit për kampionatin spanjoll dhe italian. Marc Andre ter Stegen dhe Lionel Messi mbajnë lart flamurin e Barcelonës dhe të ‘La Liga’-s, ndërsa ‘Serie A’ përfaqësohet vetëm me 1 lojtar; Cristiano Ronaldon e Juventus. Kampionët e Liverpool-it kanë në listën e lojtarëve të sezonit në ‘Champions League’ plot 6 lojtarë, ku bie në sy mungesa e një prej protagonistëve të finales, Momo Salah. Liverpool-i përfaqësohet me portierin Alisson, Van Dijk, Alexander Arnold, Robertson, Wijnaldum dhe Sadio Mane.

Finalistët e Tottenham kanë vetëm 3 lojtarë; Vertonghen, Sissoko dhe Lucas Moura. Por nga ‘Premier League’-a janë edhe 2 lojtarë të tjerë, dy nga yjet e Manchester City, Kevin de Bryune dhe Raheem Sterling. Mund te jëtë më shumë se krenare skuadra e Ajax-it, që sheh 5 lojtarë të saj pjesë të ekipit më të mirë të sezonit në elitën e futbollit europian. De Ligt, Hakim Ziyech, Frenkie de Jong, David Neres dhe Dusan Tadic janë vlerësuar për performancat e tyre të jashtëzakonshme gjatë këtij sezoni, ndërsa bie në sy fakti që nga ‘Ligue 1’ ka vetëm 1 emër. Nuk bëhet fjalë për ndonjë lojtar të PSG, por Ndombele i Lyon, që pritet të jetë edhe ndër më të kërkuarit në merkaton e kësaj vere.