UEFA ngre në qiell klasin e lojtarit kuqezi

Sport

Aq i mrekullueshëm ishte ai asist me takë i Rey Manajt për golin e dytë të Shqipërisë kundër Islandës, sa që është vlerësuar edhe nga UEFA. Organizmi më i lartë i futbollit evropian e ka shpallur si “veprimin më të bukur” të eleminatoreve të mbrëmjes së të martës së 10 shtatorit. Ndërkohë që e ka postuar edhe në faqes zyrtare të ‘UEFA Euro 2020’ në rrjetet sociale, teksa video mund të thuhet se është shikuar me qindra mijëra hera dhe është pëlqyer shumë anembanë botës. Me atë lëvizje të tij, Manaj nxorri jashtë loje disa futbollistë të Islandës, duke befasuar mbrojtjen kundërshtare me një asistim mjeshtëror me thembër. Ndërkohë që i dha mundësinë Elseid Hysaj të dilte i vetëm përpara portës islandeze, duke mposhtur portierin kundërshtar si të ishte një sulmues i vërtetë. Manaj luajti titullar përkrah Sokol Cikalleshit në sulm në ndeshjen kualfiikuese të Euro 2020 ndaj Islandës në “Elbasan Arena”, ku kuqezinjtë fituan 4-2, duke rindezur shpresat për një kualifikim të mundshëm, gjithsesi mbetet tepër i vështirë.


Manaj, i aktivizuar në sulm përkrah Cikalleshit, rezultoi si një nga lojtarët më të dalluar të Kombëtares shqiptare. Tashmë ai do të kthehet me moralin më të lartë në klubin e tij Albacete. Mirëpo, sipas disa burimeve pranë Interit, klubi zikaltër vazhdon të ketë ende kontrollin mbi sulmuesin shqiptar, të cilin e shiti për 2.5 milionë euro gjatë verës. Eshtë zbuluar se milanezët kanë një të drejtë riblerjeje të kartonit të Manajt në sezonet e ardhshme, pavarësisht se kontrata e tij me Albacete skadon në qershor 2024.