Finalja e ‘Champions League’-ës në një të ardhme të afërt mund të luhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky është lajmi që ka tërhequr më shumë vëmendje nga e përditëshmja spanjolle ‘AS’, që raporton se burime të sigurta pranë UEFA-s, kanë deklaruar se kanë marrë një propozim serioz për të zhvendosur një finale të ‘Champions’-it përtej Atlantikut. Disa prej kompanive më të mëdhaja amerikane janë gati të investojnë jo pak për ta bërë realitet diçka të tillë dhe në aspektin financiar, UEFA ka marrë një garanci për mbarëvajtjen e një eventi të tillë në Shtetet e Bashkuara. Gjithnjë sipas ‘AS’, institucioni më i rëndësishëm i futbollit europian po e merr në konsideratë një mundësi të tillë, pasi fitimet nga marketingu dhe të drejtat televizive do të rriteshin ndjeshëm. UEFA ka provuar edhe më herët të bashkëpunojë me kompanitë amerikane për të sjellë klube me emër në stadiumet përtej Atlantikut, siç janë disa turne verorë dhe rezultatet e marra kanë qenë mjaft pozitive. Fillimisht, amerikanët garantojnë 1,5 milionë euro për të sjellë finalen e ‘Champions League’-ës në Shtetet e Bashkuara duke filluar nga 2024-a dhe kjo shifër do të rritej ndjeshëm me përfshirjen e të tjerë investitorëve që kërkojnë ta bëjnë realitet një projekt të tillë. UEFA do të shqyrtojë me kujdes propozimin e marrë dhe më pas do ta diskutojë edhe në komisionin e vet, përpara se të merret një vendim final. Por në këtë situatë, Ceferin dhe të tjerët e dinë shumë mirë se duhet të marrin në konsideratë edhe reagimin e tifozëve apo të klubeve europiane, që mund të ndikojnë jo pak në vendimin e marrë.