Grupi i kontrollit të UEFA-s për substancat e ndaluara ka bërë kontrolle mëngjesin e së mërkurës mbi ekipin e Kombëtares Shqiptare në Bad Wealtersdorf në Austri. 10 futbollistë të fanellës kuqezi, tetë prej të cilëve ishin në listën kryesore të përcaktuar nga UEFA, i janë ushtruar kontrollit antidoping.
Lojtarët e kanë mirëkuptuar dhe e kanë pritur me humor këtë kontroll të papritur, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për trajnerin e Kombëtares, Gianni De Biasi. Kontrolli surprizë ka bërë gjithashtu që edhe stërvitja e paradites të niste me 15 minuta vonesë dhe vetë De Biassi është paraqitur vonë në fushat ku stërviten lojtarët.
Kjo është një procedurë e zakonshme e ndërmarrë nga Federata Europiane e Futbollit, së cilës do t’i nënshtrohen të gjitha skuadrat përfaqësuese që do të marrin pjesë në fazën finale të Kampionatit Europian të Futbollit që do të zhvillohet në Francë.
Ky ishte kontrolli i dytë i befasishëm i UEFA-s për Kombëtaren, pas atij të muajit mars në Austri për miqësoret me Austrinë dhe Luksemburgun.