UEFA ka shpallur tre kandidaturat për çmimin e lojtarit më të mirë të vitit në Evropë. Leo Messi, Virgil Van Dijk dhe Cristiano Ronaldo janë tre futbollistët që do të garojnë për ta fituar trofeun e më të mirit të futbollit kontinental. Të tre futbollistët vijnë pas paraqitjeve të shkëlqyer në sezonin e shkuar. Mbrojtësi i Liverpulit është risia krahasuar me vitet e fundit, teksa sfidon dy yjet e mëdhenj, pasi fitoi Ligën e Kampionëve me skuadrën e tij dhe u shpall lojtari më i mirë i finales së Champions League në Madrid kundër Totenhemit.
Nga ana tjetër, Ronaldo me Portugalinë e tij fitoi Ligën e Kombeve dhe ishte golashënuesi më i miri i atij kompeticioni, duke mos harruar as kampionatin e fituar me Juventusin. Kurse Messi fitoi Këpucën e Artë në Ligën e Kampionëve, La Liga dhe Europë, pa harruar as titullin kampion me Barcelonën në Spanjë. Finalistët u përcaktuan nga një juri e përbërë nga 80 trajnerë dhe 55 gazetarë. Teksa fituesi që do të dalë mes këtyre të treve do të shpallet në ceremoninë ku do të ndahen çmimet e më të mirëve të sezonit të kaluar. Saktësisht, më datë 29 gusht në Monako, atëherë kur edhe do të hidhet shorti i fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve për edicionin 2019-2020. Vitin e shkuar trofeu i “Lojtarit të Vitit” u fitua nga Luca Modric.