Në përfundim të Komitetit Ekzekutiv që u mbajt të martën në Ljubjanë, UEFA zbuloi stadiumet ku do të zhvillohen 3 finalet e ardhshme të Champions League. Në një kohë kur “Ataturk” i Stambollit do të presë atë të vitit 2020, u caktua që në 2021-shin finalja e kompeticionit më madhor të futbollit kontinental të mbahet për herë të dytë pas 13 vitesh në Rusi, por kësaj radhe në stadiumin e Shën Petërburgut, teksa Superkupa e të njëjtit vit do të zhvillohet në Belfast të Irlandës. Pas një viti, në 2022-shin, do të jetë “Allianz Arena” i Mynihut, që do të rikthehet të presë një finale 10 vjet pas asaj të 2012-s, kur triumfoi Chelsea me penallti pikërisht përballë Bajernit vendës.
Kurse në 2023-shin, finalja është vendosur që të luhet në Uembley të Londrës, ku është zhvilluar më parë edhe 7 herë të tjera. Precedenti i fundit ishte në 2013-n, ku triumfoi Bajerni në derbin gjerman ndaj B.Dortmundit.
Gjithashtu UEFA ka zbardhur edhe emrin e kompeticionit të tretë evropian për klube, që është zyrtarizuar se do të nisë nga sezoni 2021-2022. Do të quhet UEFA Europa Conference League dhe do të luhet të enjteve, njësoj si Liga e Evropës. Pritet që ky turne i ri t’i japë shanse më shumë klubeve nga 55 federatat e UEFA-s për të marrë pjesë në arenën e futbollit evropian. Fituesja do të ketë të drejtë të luajë direkt në edicionin pasardhës të Europa League. Ndër të tjera, Komitetit Ekzekutiv mori vendimin për aplikimin e VAR-it në fazën me eleminim direkt të këtij edicioni të Europa League, kurse finalja e edicionit tjetër do të zhvillohet në “Ramon Sanchez Pizujan” të Sevijas. Po ashtu, Video Asistencë Refree do të përdoret edhe në finalet e Champions League-s së femrave, si dhe në Europianin e po të njëjtës kategori, që zhvillohet në 2021-shin.