UEFA, hidhet ideja për një kompeticion të tretë klubesh

Sport

uefa 3
Krahas Championsit dhe Europa League-ës, UEFA po mendon tashmë të ndërfusë një kompeticion të tretë për klubet. Propozimi thuhet se mund të marrë jetë që nga viti 2021. Andrea Agnelli, në cilësinë e kryetarit të Shoqatës së Klubeve të Evropës, i ka dhënë dritën jeshile kësaj ideje. Aktualisht nuk është dhënë asnjë detaj tjetër se si do të organizohet ky kompeticion i tretë, apo se në ç’periudhë do të luhet. Agnelli, i cili drejton edhe klubin e Juventusit, ka theksuar se gjendja aktuale e futbollit dhe konkurrencës mes klubeve duhet modernizuar. Këto deklarata ai i tha teksa merrte pjesë në asamblenë e përgjithshme vjetore që u mbajt në Kroaci.

Agnelli

“Për projekt-idenë më parë është e nevojshme që të kemi një kalendar të miratuar të ndeshjeve të kombëtareve, kjo sipas modeleve që janë mirataur tashmë deri në vitin 2024” – ka nënvizuar Agnelli. Sipas Sport-Bild, revolucioni i propozuar për periudhën 2021-2024 do të konfirmojë 32 skuadrat në Champions, ndërsa do të reduktojë po në 32, nga 48 që janë aktualisht ato në Europa-League dhe kështu kompeticioni i tretë do të ketë po 32 skuadra të tjera. Që prej vitit 2000 Evropa ka vetëm 2 kupa, ndërsa më parë prej 1960 deri në vitin 1999 ka qenë edhe Kupa e Kupave, ku fituese e fundit rezulton të jetë Lazio.