UEFA cakton arbitrin e finales së Champions League, Borussia Dortmund – Real Madrid

Sport

UEFA cakton arbitrin e finales së Champions Leauge. Slavko Vinçiç do të jetë personazhi, i cili në Wembley të Londrës do të ndajë drejtësinë e ndeshjes më të madhe sezonale të futbollit të klubeve, mes Borussia Dortmund dhe Real Madrid, në datën 1 Qershor.

44 vjeçari është një arbitër ndërkombëtar që prej 2010-tës, ndërsa kjo do të jetë finalja e tij e dytë në një kompeticion të UEFA-s. Në 2022-shin, Vinçiç gjykoi sfidën  finale të Europa League mes Eintracht Frankfurt dhe Rangers, të luajtur në Spanjë.

Përgjatë këtij sezoni, arbitri slloven ka gjykuar 7 ndeshje në Champions League, duke përfshirë këtu edhe çerekfinalen e kthimit mes Borussia Dortmund dhe Atletico Madrid, që përfundoi 4-2 për gjermanët.

Kjo do të jetë hera e dytë që Vinçiç do të drejtojë një ndeshje të Dortmundit në Champions League dhe e para herë që do të gjykojë një ndeshje të Real Madrid në një kompeticion të tillë.

Bashkë me Slavko Vinçiç, skuadra tjetër e arbitrave për finalen e UEFA Champions League, do të përbëhet nga dyshja sllovene e asistentëve, Tomaž Klančnik dhe Andraž Kovačič. Francezi, François Letexier do të jetë arbitër i katërt. Në VAR do të jenë dy sllovenë të tjerë, Nejc Kajtazović dhe Rade Obrenović, bashkë me italianin, Massimiliano Irrati.

Sakaq, sa i përket finales, është konfirmuar gjithashtu se të dyja skuadrat, si Borussia Dortmund, ashtu edhe Real Madrid, do të zbresin në fushë me fanellat e tyre tradicionale, verdhezi dhe të bardhë.