Me barazimin 2-2 në Bernabeu kundër Bayernit, Reali i Madridit siguroi për herë të 16 finalet e një kupe të Evropës duke thyer çdo rekord për sa i përket kompeticionet për klube. Zinedine Zidane ruan një statistike 100 përqind të suksesshme për sa i përket fazave me eliminim direkt, ndërsa tashmë do të ketë mundësinë për të shkruar historinë, pasi është e para skuadër që arrin 3 herë radhazi finalen që prej vitit 1998 kur Juventusi e shënonte këtë ecuri. Por pas sfidës në Madrid, Zidane u detyrua t’i japë meritat Bayernit që sipas tij i bëri kampionët në fuqi të vuanin shumë për të marrë rezultatin. “Vuajtëm së tepërmi kundër një skuadre të madhe. E nisëm keqazi, por ditëm të reagonim dhe ia dolëm mbanë. Jemi në finale dhe për këtë jemi tejet të gëzuar. Por duhet të mbetemi me përqendrimin e duhur për ta çuar këtë sezon deri në fund.
Për këtë na mbetet për t’u luajtur edhe në Kiev” – tha Zidane. Trajneri francez befasoi disi me formacionin ndërsa hodhi në fushë nga minuta e parë Kovacicin dhe jo Casemiron, ndërsa në të djathtë Lucas Vazques e pati të vështirë fillimin, pasi luajti në mbrojtje. Në fakt fillë pas golit të Kimich, u vu në lëvizje Nacho. Por ky i fundit u hodh në fushë vetëm në pjesën e dytë. Shtypi spanjoll ka lavdëruar zgjedhjen e Zidane, i cili falë aftësive të Vazques bëri të mundur ndryshimin e shpehtë të lojës. Por ndërkohë një vëmendje të vecantë zuri edhe Benzema. Ky i fundit mjaft i kritikuar, por që në Bernabeu të martën shënoi 2 golat vendimtarë të kualifikimit.