Real Madrid dhe Chelsea do të përballen edhe një herë tjetër në piedestalin e futbollit të klubeve, në UEFA Champions League. Goglat e shortit të së Premtes, edhe një herë tjetër, vendosën përballë njëri-tjetrit, fituesit e dy edicioneve të fundit të kompeticionit, që janë përplasur rregullisht mes tyre përgjatë këtyre viteve.
Në sezonin që lamë pas, dy gjigantët e kontinentit, e sfiduan njëri-tjetrin pikërisht në fazën çerekfinale, me Los Blancos që u kualifikuan për më tej me rezultatin e përgjithshëm 5-4. Pasi eliminoi Blutë e Londrës, skuadra e Carlo Ançelottit e vijoi rrugëtimin deri në fund, duke triumfuar në finalen e Parisit, për të 14-tën herë në histori.
Mirëpo, dy vite më parë, në gjysmëfinale, ishte Chelsea që triumfoi ndaj Real Madrid me rezultatin e përgjithshëm 4-2. Në fund, londinezët ia dolën të shpalleshin kampionë, për të dytën herë në histori.
Ndonëse për momentin, Chelsea nuk është në formën më të mirë të mundshme, të besuarit e Graham Potter, mund të mbështeten tek historia, sepse aty janë superiorë, madje me diferencë. Në 7 përballjet europiane, mes Chelsea dhe Real Madrid, britanikët kanë humbur vetëm një dhe kanë fituar 4.
Nga ana tjetër, Los Blancos, mund të ndërtojnë aty ku e nisën në edicionin e kaluar ndaj Chelseas. Takimi i vajtjes do të luhet në “Santiago Bernabeu” në 11 Prill, ndërsa akti i kthimit në “Stamford Bridge”, në 18 Prill.
Në gjysmëfinale, fituesi i këtij çifti, do përballet me fituesin e çiftit Manchester City – Bayern Munich.