UCL, Tifozët e Napolit ‘mbajnë zgjuar’ Milanin

Sport

Milani udhëtoi drejt Napolit një ditë para ndeshjes së kthimit në ‘Champions League’, për të bërë në mënyrën e duhur përgatitjen për mbrëmjen më të rëndësishme të sezonit për kuqezinjtë. Mirëpo nata e kaluar në qytetin jugor të Italisë nuk ka qenë shumë e lëhtë për Piolin dhe lojtarët e tij. Një grup i konsiderueshëm tifozësh të Napolit kanë shkuar pranë hotelit ku qëndronte skuadra kuqezi, për të shkaktuar sa më shumë zhurmë e shqetësim për kampionët në fuqi të Italisë. Siç mediat vendase raportojnë, dukej qartë se bëhej fjalë për një organizim të menduar mirë dhe jo një mbledhje e rastësishme e tifozëve, që kishin marrë me vete edhe flakadanë e zhurmues për të lënë pa gjumë skuadrën kuqezi. Tifozët napoletanë kanë nisur thirrjet e tyre në orën 3 e 30 të mëngjesit të 18 prillit dhe kanë qëndruar poshtë hotelit ku ishte akomoduar Milani për më shumë se 1 orë. Më pas autoritetet kanë ndërhyrë për të shpërndarë këta tifozë, teksa përfaqësues të hotelit ku qëndronte Milani kanë zbuluar se shqetësimet kanë qenë thuajse inekzistente për klubin kuqezi, për shkak se skuadra ishte e vendosur në anën tjetër të ndërtesës, e për më tepër në kushtet e duhura të izolimit akustik. Gjithësesi, tifozët napoletanë e kanë dëshmuar qartë se çfarë peshe ka për ta sfida e mbrëmjes së sotme, prandaj për Leaon dhe kuqezinjtë e tjerë, 90 minutat në stadiumin ‘Maradona’ nuk do të jenë aspak të lehta. Milani vjen pas avantazhit minimal nga ndeshja e parë, ku një gol i Bennacer i dha fitoren skuadrës së trajnerit Pioli.