UCL/ Shorti, flasin përfaqësuesit e klubeve

Sport

Përfaqësues të Manchester City dhe Real Madrid, kanë folur menjëherë pas hedhjes së shortit të UEFA Champions League për fazën play-off. Të dyja skuadrat në fjalë, do të përballen për të katërtin sezon radhazi në Champions dhe të pestën herë në 6 vitet e fundit.

Paul Dickov, ambassador i Cityt, është shprehur se sidoqoftë, kur je pjesë e një kompeticioni të tillë, duhet të përballesh me më të mirët, pasi kjo është edhe rruga, apo mënyra e vetme për të shkuar deri në fund:

“E dinim që përpara hedhjes së shortit se do të ishte e vështirë. Njëra mes Real Madrid dhe Bajern, dy gjigandë të Europës, dy nga më të mirat që mund të gjesh… Kjo është hera e katërt radhazi që kemi Realin në rrugëtimin tonë.

Kur je në ‘Champions League’, do të përballesh me të mirët, duhet të mposhtësh më të mirët për të shkuar në finalen e kompeticionit. E sigurtë që do të kemi sërish ndeshje të bukura.

– Shanset e Man.City? Lojtarët që janë pjesë e Man.City janë të talentuar me mjaft eksperiencë. Disa prej lojtarëve të dëmtuar do të kthehen për të ndihmuar. Por do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Man.City luan për të fituar çdo ndeshje, çdo kompeticion dhe Real Madrid është kundërshtari i radhës që duhet kaluar”, ka deklaruar Dickov.

Më tej, ambasadori i Real Madrid, Emilio Butragueno, është shprehur besimplotë se Reali do të prodhojë dy ndeshje të mëdha, do të japë maksimumin dhe do të shpresojë të kualifikohet në fazën e 1/8-ave:

“Jemi sërish kundër Man.City. E kisha parandjerë që do të luanim kundër Man.City. Të gjitha ndeshjet që kemi luajtur ndaj tyre kanë qenë fantastike. Të njëjtën gjë pres edhe në këto dy takime. Ata janë një skuadër shumë e mirë, me lojtarë të fortë si në sulm, edhe në mbrojtje. Mendoj se për tifozët do të jetë fantastike, pasi do të shijojnë futbollin në më të mirën e tyre. Ne do të përpiqemi të bëjmë detyrën tonë dhe me pas të shohim. Objektivi ynë fillestar është të shkojmë në 1/8-at. E dimë se përballemi me një skuadër të fortë, por kemi një organikë të kompletuar, me lojtarë shumë të mirë, që janë gati të japin më të mirën e tyre”, ka thënë Butragueno.

Një tjetër figurë e rëndësishme që ka folur për shortin, ishte gjithashtu edhe Drejtori Sportiv i Bayern Munich, Christoph Freund, i cili, përballjen ndaj Celtic e ka cilësuar shumë e vështirë, duke shtuar më tej se bëhet fjalë për një klub të madh, që ka bërë shumë mirë në futbollin vendas prej një kohe të gjatë:

“Do të jetë një ndeshje e vështirë ndaj Celtic, që ka një traditë të rëndësishme në Skoci. Ata janë një klub i madh, janë në formë të mirë dhe kryesojnë kampionatin. Do të jenë ndeshje të fortë dhe në një atmosferë të bukur në ‘Celtic Park’.

 

– Në fazën me eleminim, të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Duhet të japim performancën më të mirë të mundshme në fushë, në çdo takim dhe më pas të shohim. E dimë që finalja luhet në Mynih, por le të shohim si do ecin gjërat”, ka mbyllur Freund.

Ndeshjet e vajtjes të fazës “play-off”, do të luhen në 11 dhe 12 Shkurt, kurse ato të kthimit në 18 dhe 19 Shkurt.