Sezoni i Manchester United po kthehet në një makth të vërtetë. Në javën e dytë të fazës së Grupeve në UEFA Champions League, djajtë e kuq kanë pësuar humbjen e radhësnë Grupin A, këtë herë në “Old Trafford”, me rezultatin 3-2 nga Galatasaray.
Në 4 ndeshjet e fundit të luajtura në “Teatrin e Ëndrrave”, United ka pësuar 3 humbje, një tregues ky se shëtpia e 20 herë kampionëve të Anglisë nuk është më një fortesë, por është kthyer në një pengesë lehtësisht të kalueshme për kundërshtarët.
Nuk kishte ndodhur ndonjëherë në historinë e klubit, që në dy javët e para të fazës së grupeve të Champions United të pësonte dy humbje.
Në 10 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet këtë sezon, United ka pësuar 18 gola, diçka që nuk kishte ndodhur asnjëherë që prej edicionit të largët, 1966/67. Por statistikat negative nuk mbarojnë me kaq. Nga 14 ndeshjet e fundit të luajtura në shtëpi në Champions League, United ka humbur 7 prej tyre, aq sa kishte pësuar në 96 ndeshjet e mëparshme në “Teatrin e Ëndrrave”.
Në kushte si këto, anglezët renditen të fundit në grup me zero pikë, teksa për trajnerin Erik ten Hag situata është ndërlikuar maksimalisht dhe tashmë vend ii tij mund të jetë më i rrezikuar se asnjëherë më parë.
Një nisje pozitive e këtij sezoni në Champions League, konsiderohet ajo e Galatasaray, që në dy javë, ka arritur të grumbullojë 4 pikë dhe renditet në vendin e dytë. Suksesi i gjigantëve të Stambollit në “Old Trafford”, ishte fitorja e tyre e parë historike në 117 vite, në një transfertë angleze.
Më tej, Grupi A kryesohet nga Bayern Munich me 6 pikë, që në transfertë, fitoi me përmbysje 2-1 ndaj Copenhagenit të vendit të 3-të me 1 pikë. Danezët nuk kishin pësuar asnjë humbje në 6 ndeshjet e tyre të fundit në shtëpi në kompeticionin e Champions League, mirëpo nuk arritën dot që rekordin e tyre ta mbanin edhe përballë gjermanëve.