Trajneri i Galatasarayt, Okan Buruk, iu kundërpërgjigj trajnerit të Gjermanisë, Julian Nagelsmann, pas komenteve për Leroy Sané. Nagelsmann vuri në dyshim të ardhmen e Sanés me Kombëtaren, pasi ai la Bayern Munich për t’iu bashkuar kampionëve të Turqisë, duke thënë se tashmë do t’i duhet të tregojë më shumë se kurrë për të fituar një ftesë. Madje tekniku gjerman shkoi më tej, duke sugjeruar se karriera e Sanés me Kombëtaren mund të jetë drejt fundit, për shkak se Superliga turke nuk është në nivelin e kampionateve më të forta të Europës. Buruk nuk humbi kohw dhe iu përgjigj pas humbjes së thellë 5–1 ndaj Eintracht Frankfurt, duke mbrojtur yllin e tij: “Nuk jam dakord me Julian Nagelsmann. Edhe Gjermania humbi ndeshjen e parë me Sllovakinë, në një moment kur mendonte se ishte shumë e fortë. Ne kemi bërë paraqitje të shkëlqyera ndaj Tottenhamit dhe Bayernit. Nuk më kujtohet që Frankfurti ta ketë humbur topin 65% të rasteve.” Ndërkohë, Sané tregoi menjëherë sa vlen. Në minutat e para fitoi topin thellë në gjysmëfushën e tij dhe asistoi për kapitenin Yunus Akgün, që shënoi golin e avantazhit. Sané u bë lojtari i parë në historinë e Champions League që shënon dhe asiston në debutim me katër klube të ndryshme. Por pavarësisht nisjes së tij perfekte, cinizmi i Frankfurtit para pushimit përmbysi ndeshjen dhe në fund e fitoi atë.
