UCL, Salah ‘The Egyptian King’ synon të përmbyllë një sezon totalisht të çmendur

Sport

salah ram
Dhjetë muaj pasi u transferua nga Roma, Mohamed Salah është vetëm një ndeshje larg përmbylljes së një sezoni totalisht të çmendur. 44 gola në 51 ndeshje. Golashënues dhe lojtar i vitit në Premier League. Protagonist i një kualifikimi historik të Egjiptit në botëror dhe tashmë rivali i vetëm i Cristiano Ronaldos për Topin e Artë. E kush mund ta mendonte një sezon kaq të jashtëzakonshëm për Momon?! Askush, qoftë nga Roma ku e lanë të shkojë pa e peshuar si duhet, qoftë dhe nga dikush si Jose Mourinho, i cili nuk e vlerësoi kur ishte te Chelsea. Vetëm 10 muaj te Liverpooli dhe një shpërthim dashurie, adhurimi dhe dobësie për një lojtar që di vetëm të buzëqeshë. Të harruara mundimet e një jete tejet të vështirë kaluar fillimisht në Nagrig të Kairos, përballjes me vështërsitë ekonomike apo dhe tragjeditë si ajo e Port-Saidit ku vdiqën 72 tifozë të klubit Al Ahly-së.

salah12

Në Angli ka mundur të thyejë të gjitha llojet e paragjykimeve aq sa mjekra e tij të bëhet trend mes tifozëve dhe vetë ai të jetë frymëzim për plot këngë të ultrasve të Liverpoolit. “The Egyptian King” sikurse është pagëzuar prej tyre, është ai lojtar që i mungonte “reds”-ave prej kohësh. Salah ka mundur të thyejë plot rekorde. I thyer rekordi i Shearer me më shumë gola në një sezon të Premier-League-ës, i thyer rekordi i Torresit me më shumë gola në sezonin e parë me të kuqtë dhe tashmë përpara rekordi i vetëm, ai i legjendës Ian Rush me 47 gola në një sezon. Ky duket kufiri për Salahn pasi për t’iu afruar, sonte në Kiev atij i duhet së paku një tripletë, gjë që s’është parë kurrë në një finale të Champions League-ës. Por përkrah ai do të ketë dyshen Mane dhe Firmino, të cilët e kanë furnizuar gjithmonë me mundësi për të shënuar.