26 maji është fiksuar fort në kalendarin e Realit të Madridit dhe sidomos të Liverpoolit, që i rikthehet një finaleje të Champions League-ës, 11 vite pas asaj të luajtur në Athinë. Por sikurse kanë raportuar në Angli, ka diçka që e trazon disi ambientin e të kuqve. Prej 15 majit e deri më 14 qershor nis muaji i ramazanit dhe dy nga lojtarët kryesor të Liverpoolit, Sadio Mane dhe Mohamed Salah janë muslimanë praktikantë. Një debat i kahershëm është rindezur për faktin se gjatë kësaj periudhe sportistëve u duhet të agjërojnë dhe të mos heqin dorë nga profesioni i tyre. Shpesh është diskutuar ideja që në raste të tilla sportistët ta shtynë agjërimin për një periudhë tjetër, por kjo kërkon konsultim me klerin.
Rasti i Egjiptit që luan botërorin në Rusi ka bërë që muftiu i Kairos t’i lejojë lojtarëve që ta mbajnë ramazanin në një moment të mëvonshëm. Për Salahn, situata është disi ndryshe pasi ai është një musliman i devotshëm. Alberto Moreno ka rrëfyer së fundmi se sipas tij “Salah aktualisht po stërvitet me vetëm 20 përqind të formës, për të shmangur lëndimet e mundshme”. I pyetur për ramazanin, ai është përgjigjur në mënyrë gazmore se “e vetmja gjë që mund të bëjë për ta ndihmuar egjiptianin, është që të hajë nga një kafshatë edhe për të”. Por përtej batutave të Morenos, nëse Salah dhe Mane do të jenë agjërueshëm, ata do të kenë vetëm pak minuta përpara finales së Kievit, për të shuar etjen dhe urinë. E sigurt do jetë se forma e tyre në fushë do jetë krejt ndryshe nga ajo që është aktualja.