UCL, Ronaldo vs Salah, për cilin flasin statistikat…

Sport

rvs
Përplasja mes Real Madrid dhe Liverpool në finalen e madhe të Kievit pritet me mjaft interes nga tifozët e Uefa Champions League. Kjo edhe për faktin se më në fund, dy yjet e skuadrave respektive do të përballen më njëri-tjetrin si lojtarët më në formë përgjatë këtij sezoni.  Cristiano Ronaldo vazhdon të jetë i shkëlqyer. Portugezi numëron finalen e 6 në karrierë në këtë kompeticion. Këtë sezon, ylli i Real Madrid numëron plot 50 gola të realizuar mes paraqitjeve me “los blancos” dhe kombëtaren e Portugalisë, që llogariten të jenë 49 ndeshje, e nga të cilat, Ronaldo ka shënuar në 31 sfida. Nga ana tjetër, Salah është fenomeni i Champions League këtë vit, por mbetet debutues në nje finale të këtillë. Egjiptiani ka udhëhequr deri këtu skuadrën e Liverpool me 10 gola dhe 4 asiste në këtë kompeticion. Në total, përgjatë 2017/2018-s, ai ka realizuar 48 gola në 55 ndeshje të luajtura. Salah vendosi rekordin e ri në Premier League me 32 gola në 38 takime, shifra të jashtëzakonshme për një lojtar që u transferua tek Liverpooli vetëm verën e kaluar. Ylli i “the reds”, natën e finales do të jetë 25 vjeç e 345 ditë.

r vs

Në të njëjtën moshë, Ronaldo në janar të 2011-s, numëronte 23 gola në Champions League, 6 më shumë se Salah aktualisht, por vlen të theksohet fakti se në atë kohë, portugezi kishte luajtur 68 takime në këtë kompeticion, 31 më shumë se numri 11 i Liverpool. Sa i përket 90 minutave, Ronaldo duket se e rrit ritmin me kalimin e kohës. 33-vjeçari nga 50 golat e realizuara këtë sezon, ka shënuar vetëm 19 në pjesën e parë dhe plot 31 në të dytën, nga të cilat 16 i shënon në 15 minutat e fundit të takimit, që duket të jetë momenti i preferuar i tij për të ndëshkuar kundërshtarin. Nga ana tjetër, Salah është më i balancuar, me 23 gola në fraksionin e parë të lojës dhe 25 në të dytën.  Kështu përballja e Kievit për këta dy yje të futbollit evropian vlen shumë. Njëri do të provojë se mbetet “mbreti” i Champions League, ku një triumf tjetër do ta bënte të barazonte rekordin e Paolo Maldinit me 5 trofe. Ndërsa Salah, do të kërkojë të vulosë emrin e tij në historinë e këtij kompeticioni për herë të parë, nën një fanellë legjendare të futbollit evropian.