Tre javë pas përmbysjes më të çmendur që kishte parë ndonjëherë futbolli italian në Evropë, Roma do të provojë sërish të bëjë të njëjtën gjë kundër një tjetër klubi historik sikurse është Liverpooli. Humbja 5-2 në Anfield i la verdhekuqtë të zhgënjyer, por trajneri Di Francesco ripërsëriti të njëjtat fjalë sikruse përpara sfidës me Barcelonën. “Të besojmë deri në fund dhe të japim maksimumin!”. Këtë frazë në fakt ai e shprehu edhe pas fitores 4-1 që Roma arriti ndaj Chievos në Serie-A. Në këtë përballje Patrick Schick shkoi sërish në rrjetë, ndërsa Juan Jesus u ndëshkua me të kuq. Sidoqoftë Di Francesco pa vetëm aspektet pozitive të ndeshjes. Shqetësimet e Perottit dhe Strootman nga disa lëndime janë problemet e vetme në organikë, ndërkohë Federata, klubi i Romës dhe vetë pushtetarët e kryeqytetit italian kanë bërë thirje për një organizim të qetë të tifozëve përpara ndeshjes, kjo për të shmangur situatat e ngjashme me ato që ndodhën në Anfield ku një tifoz irlandez mbeti i lënduar rëndë pas disa përleshjeve. Përsa i përket Liverpoolit, të kuqtë e Jurgen Klopp u ndalën në barazim pa gola nga Stoke City. Salah dhe Firmino ishin në fushë, Mane jo. Lëndimi i Chamberlain është një shqetësim më shumë për Kloppin, i cili e ka deklaruar se finalja nuk është arritur ende, por që pas sfidës në Anfield sipas tij u pa qartë se Liverpooli mund të fitojë edhe në Olimpico, nëse kjo gjë është e vërtetë, kjo mbetet për t’u parë të mërkurën.